Skip to content
Marku 6:38-56

Marku 6:38-56

38
Dhe ai u tha atyre: ''Sa bukë keni? Shkoni e shikoni''. Ata, mbasi shikuan, thanë: ''Pesë bukë e dy peshq''.
39
Atëherë ai i urdhëroi ata që t'i rregullojnë të gjithë, ulur në grupe, mbi barin e njomë.
40
Kështu ata u ulën në grupe nga njëqind e nga pesëdhjetë.
41
Pastaj ai mori pesë bukët dhe dy peshqit, i ngriti sytë nga qielli, i bekoi; i theu bukët dhe ua dha dishepujve të vet, që t'ua shpërndanin atyre; ua ndau gjithashtu dy peshqit të gjithëve.
42
Të gjithë hëngrën sa u ngopën.
43
Dhe mblodhën dymbëdhjetë shporta me copa buke dhe me mbetje peshku.
44
Ata që hëngrën nga ato bukë ishin pesë mijë burra.
45
Menjëherë Jezusi i detyroi dishepujt e vet të hyjnë në barkë dhe t'i prijnë në bregun tjetër drejt Betsaidas, derisa ai ta lejonte turmën.
46
Sapo e lejoi, ai iu ngjit malit për t'u lutur.
47
U ngrys, barka ishte në mes të detit dhe ai ishte i vetëm fare në tokë.
48
Dhe kur i pa dishepujt që po mundoheshin duke vozitur, sepse era ishte kundër tyre, aty nga roja e katërt e natës, ai u nis drejt tyre duke ecur përmbi det dhe donte t'i kalonte.
49
Por ata, kur e panë që po ecte mbi det, menduan se ishte një fantazmë dhe filluan të bërtasin,
50
sepse e kishin parë të gjithë dhe ishin trembur; por ai menjëherë filloi të flasë me ta dhe tha: ''Merrni zemër, jam unë, mos kini frikë!''
51
Pastaj hipi në barkë me ta dhe era pushoi; dhe ata mbetën jashtëzakonisht të habitur në veten e tyre dhe u mrekulluan,
52
sepse nuk e kishin kuptuar ndodhinë e bukëve, sepse zemra e tyre ishte ngurtësuar.
53
Mbasi kaluan, arritën në krahinën e Gjenasaretit dhe aty e lidhën barkën.
54
Dhe kur dolën nga barka, njerëzit e njohën menjëherë
55
dhe, duke përshkuar me vrap mbarë krahinën përreth, filluan të sjellin të sëmurë në vigje, kudo që dëgjonin se gjendej;
56
dhe kudo ku ai vinte, në fshatra, në qytete a në lagje, njerëzit i vendosnin të lënguarit në sheshe dhe e lutnin që të paktën të mund të preknin cepin e rrobes së tij; dhe të gjithë ata që e preknin, shëroheshin.
Settings

Reading style

Typeface

Font size 19px

Reading width 75 chars

Options