Jozueu 3:7-17
7
Atëherë Zoti i tha Jozueut: "Sot do të filloj të të bëj të madh në sytë e të gjithë Izraelit, me qëllim që të kuptojnë se ashtu siç kam qenë me Moisiun, kështu do të jem edhe me ty.
8
Prandaj ti jepu këtë urdhër priftërinjve që mbajnë arkën e besëlidhjes, duke u thënë: "Kur të arrini në breg të Jordanit, do të ndaleni në Jordan"".
9
Jozueu u tha atëherë bijve të Izraelit: "Afrohuni dhe dëgjoni fjalët e Zotit, Perëndisë tuaj".
10
Pastaj Jozueu tha: "Nga kjo do të njihni që Zoti i gjallë është midis jush dhe që me siguri ka për të dëbuar para jush Kananejtë, Hitejtë, Hivejtë, Perezejtë, Girgasejtë, Amorejtë dhe Jebusejtë;
11
ja, arka e besëlidhjes së Zotit të të gjithë dheut po bëhet gati të kalojë para jush në lumin Jordan.
12
Merrni, pra, dymbëdhjetë burra nga fiset e Izraelit, një për çdo fis.
13
Dhe ka për të ndodhur që, porsa tabanët e këmbëve të priftërinjve që mbajnë arkën e Zotit, Zot i gjithë tokës, do të takojnë në ujërat e Jordanit, ujërat e Jordanit do të ndahen, dhe ujërat që zbresin nga lart do të ndalen tok".
14
Kështu, kur populli ngriti çadrat për të kaluar Jordanin, priftërinjtë që mbanin arkën e besëlidhjes ecnin përpara popullit.
15
Sapo ata që mbanin arkën arritën në Jordan dhe këmbët e priftërinjve që trasportonin arkën u zhytën në ujërat e bregut të tij (Jordani është i mbushur plot deri në brigjet e tij gjatë tërë kohës së korrjes),
16
ujërat që zbrisnin nga sipër u ndalën dhe u ngritën tok shumë më lart se Adami, qyteti që ndodhet pranë Tsartanit; kështu që ujërat që zbrisnin në drejtim të detit të Arabahut, Detit të Kripur, u ndanë tërësisht prej tyre; dhe populli i kaloi përballë Jerikos.
17
Priftërinjtë që mbanin arkën e besëlidhjes të Zotit u ndalën në vend të thatë në mes të Jordanit, ndërsa tërë Izraeli po kalonte në të thatë, deri sa tërë populli mbaroi së kapërcyeri Jordanin.
Settings