Jeremia 32:30-44
30
Sepse bijtë e Izraelit dhe bijtë e Judës kanë bërë vetëm atë që është e keqe në sytë e mi qysh në fëmijërinë e tyre. Në fakt bijtë e Izraelit nuk kanë bërë gjë tjetër veçse të provokonin zemërimin tim me veprën e duarve të tyre, thotë Zoti.
31
Sepse ky qytet, që nga dita që u ndërtua deri më sot, ka qënë për mua një provokim i zemërimit dhe i tërbimit tim; prandaj do ta zhduk nga prania ime,
32
për shkak të gjithë së keqes që bijtë e Izraelit dhe bijtë e Judës kanë bërë për të provokuar zemërimin tim, ata, mbretërit e tyre, princat e tyre, priftërinjtë e tyre dhe profetët e tyre, njerëzit e Judës dhe banorët e Jeruzalemit.
33
Më kanë kthyer jo fytyrën, por kurrizin; dhe megjithëse i kam mësuar me urgjencë dhe me këmbëngulje, ata nuk më kanë dëgjuar për të marrë korrigjime.
34
Por kanë vënë gjërat e tyre të neveritshme në shtëpinë në të cilën përmendet emri im për ta ndotur.
35
Kanë ndërtuar gjithashtu vendet e larta të Baalit, që janë në luginën e bijve të Hinomit, në mënyrë që të kalojnë përmes zjarrit bijtë dhe bijat e tyre për nder të Molekut, gjë që unë nuk u kisha urdhëruar dhe nuk më kishte shkuar kurrë ndër mend se do të kryenin një gjë të tillë të neveritshme, duke e bërë Judën të mëkatojë".
36
Prandaj kështu thotë tani Zoti, Perëndia i Izraelit, lidhur me këtë qytet, për të cilin ju thoni: "Ai do t'i jepet në dorë mbretit të Babilonisë, me anë të shpatës, të urisë dhe të murtajës".
37
"Ja, do t'i mbledh nga të gjitha vendet ku i kam shpërndarë gjatë zemërimit tim, tërbimit tim, indinjatës sime të madhe; do të bëj të kthehen në këtë vend dhe të banojnë të sigurt.
38
Ata do të jenë për mua populli im dhe unë do të jem për ta Perëndia i tyre.
39
Do t'u jap një zemër të vetme, një rrugë të vetme, me qëllim që të kenë frikë nga unë përjetë për të mirën e tyre dhe të bijve të tyre.
40
Do të bëj me ta një besëlidhje të përjetshme; nuk do të largohem më prej tyre dhe do t'u bëj të mira dhe do të shtie në zemrën e tyre frikën, me qëllim që të mos më braktisin.
41
Do të ndjej gëzim duke u bërë të mirë dhe do t'i vendos në mënyrë të qëndrueshme në këtë vend me gjithë zemrën time dhe me gjithë shpirtin tim".
42
Sepse kështu thotë Zoti: "Ashtu si solla mbi këtë popull gjithë këtë fatkeqësi të madhe, kështu do të sjell mbi të tërë të mirat që u kam premtuar.
43
Do të blihen akoma ara në këtë vend, për të cilin ju thoni: "Éshtë një vend i shkretë ku s'ka më njerëz a kafshë; është dhënë në duart e Kaldeasve".
44
Do të blihen ara me para, do të nënshkruhen aktet, do të vulosen, do të thirren dëshmitarë në vendin e Beniaminit dhe në rrethinat e Jeruzalemit, në qytetin e Judës, në qytetet e krahinës malore, në qytetet e fushës, në qytetet e Negevit, sepse unë do të bëj të kthehen ata që janë në robëri", thotë Zoti.
Settings