Kalo te përmbajtja
Danieli 5:1-9

Danieli 5:1-9

1
Mbreti Belshatsar dha një banket të madh për njëmijë nga të mëdhenjtë e tij dhe në prani të të njëmijëve piu verë.
2
Ndërsa shijonte verën, Belshatsari dha urdhër të sillnin vazot prej ari dhe prej argjendi që i ati Nebukadnetsari kishte marrë nga tempulli që ishte në Jeruzalem, me qëllim që me to të pinin mbreti dhe të mëdhenjtë që ishin me të, bashkëshortet e tij dhe konkubinat e tij.
3
Kështu prunë vazot prej ari që i kishin marrë nga shenjtërorja e tempullit të Perëndisë, që ishte në Jeruzalem, dhe me to pinë mbreti dhe të mëdhenjtë e tij, bashkëshortet e tij dhe konkubinat e tij.
4
Pinë verë dhe lëvduan perënditë prej ari, argjendi, bronzi, hekuri, druri e guri.
5
Në atë çast u dukën gishtërinjtë e dorës së një njeriu, që filluan të shkruajnë përballë shandanit mbi suvanë e murit të pallatit mbretëror; dhe mbreti pa pjesën e asaj dore që shkruante.
6
Atëherë pamja e mbretit ndryshoi dhe mendimet e tij e shqetësuan; nyjet e eshtrave iu liruan dhe gjunjët e tij filluan të përpiqen midis tyre.
7
Mbreti bërtiti me forcë që të hynin astrologët, Kaldeasit dhe shortarët; pastaj mbreti filloi t'u thotë njerëzve të ditur të Babilonisë: "Kushdo që do ta lexojë këtë shkrim dhe do të më japë interpretimin e tij do të vishet me rroba të purpurta, do të ketë një gjerdan ari në qafë dhe do të jetë i treti në qeverisjen e mbretërisë".
8
Atëherë hynë tërë të diturit e mbretit, por nuk mundën të lexojnë shkrimin as t'i bëjnë të njohur mbretit interpretimin e tij.
9
Atëherë mbreti Belshatsar u turbullua shumë, pamja e tij ndryshoi dhe të mëdhenjtë e tij e humbën fare.
Settings

Reading Style

Typeface

Font Size 19px

Reading Width 45 chars

Options