Skip to content

Vargje biblike për Baruch

40 vargje · 3 aspekte

Vargje kyçe biblike

  1. dhe ia dorëzova aktin e blerjes Barukut, birit të Neriathit, bir i Mahsehiahut, në prani të Hanameelit, kushëririt tim, në prani të dëshmitarëve që kishin nënshkruar aktin e blerjes dhe në prani të të gjithë Judejve që rrinin ulur në oborrin e burgut.

  2. Pastaj përpara tyre i dhashë këtë urdhër Barukut:

  3. "Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Merr këto akte, aktin e blerjes, qoftë atë të vulosur ashtu edhe atë të hapur, dhe futi në një poç prej balte, që të ruhen për shumë ditë.

  4. Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Në këtë vend do të blihen akoma shtëpi, ara dhe vreshta".

  5. Pasi ia dorëzova aktin e blerjes Barukut, birit të Neriahut, iu luta Zotit, duke thënë:

  6. Atëherë Jeremia thirri Barukun, birin e Neriahut, dhe Baruku shkroi mbi një rrotull shkrimi, nën diktimin e Jeremias, tërë fjalët që Zoti i kishte thënë.

  7. Pastaj Jeremia i dha këtë urdhër Barukut: "Unë jam i penguar dhe nuk mund të hyj në shtëpinë e Zotit.

  8. Prandaj do të shkosh ti të lexosh, nga rrotulla që ke shkruar nën diktimin tim fjalët e Zotit në veshët e popullit në shtëpinë e Zotit, ditën e agjërimit, do t'i lexosh dhe në veshët e tërë atyre të Judës që vijnë nga qytetet e tyre.

  9. Ndofta do t'i paraqesin lutjet e tyre për falje Zotit dhe secili do të tërhiqet nga rruga e tij e keqe, sepse i madh është zemërimi dhe tërbimi që Zoti ka shqiptuar kundër këtij populli".

  10. Baruku, biri i Neriahut, bëri, pra, tërë ato që i kishte urdhëruar profeti Jeremia dhe lexoi nga libri fjalët e Zotit.

  11. Në vitin e pestë të Jehojakimit, birit të Josias, mbret i Judës, në muajin e nëntë u shpall një agjërim para Zotit për të gjithë popullin e Jeruzalemit dhe për gjithë popullin e ardhur nga qytetet e Judës në Jeruzalem.

  12. Atëherë Baruku lexoi nga libri fjalët e Jeremias në veshët e tërë popullit, në shtëpinë e Zotit, në dhomën e Gemariahut, birit të Shafanit, shkruesit, në oborrin e sipërm, në hyrjen e Portës së Re të shtëpisë së Zotit.

  13. Mikajahu, biri i Gemariahut, që ishte bir i Shafanit, dëgjoi tërë fjalët e Zotit që u lexuan nga libri.

  14. Zbriti pastaj në shtëpinë e mbretit, në dhomën e shkruesit, dhe ja, aty rrinin ulur tërë princat: Elishama shkruesi, Delahaju, biri i Shemajahut, Elnathani biri i Akborit, Gemariahu biri i Shafanit, Sedekia biri i Hananiahut, dhe tërë princat e tjerë.

  15. Mikajahu u tregoi tërë fjalët që kishte dëgjuar, ndërsa Baruku lexonte librin në veshët e popullit.

  16. Atëherë tërë princat i dërguan Barukut Jehudin, birin e Nethaniahut, bir i Shelemiahut, bir i Kushit, për t'i thënë: "Merr në dorë rrotullën që lexove në veshët e popullit dhe eja". Kështu Baruku, bir i Neriahut, mori në dorë rrotullën dhe erdhi tek ata.

  17. Ata i thanë: "Ulu dhe lexoje para nesh". Dhe Baruku e lexoi në veshët e tyre.

  18. Kur dëgjuan tërë ato fjalë, patën frikë dhe duke shikuar njëri tjetrin i thanë Barukut: "Duhet t'ia tregojmë pa tjetër mbretit tërë këto fjalë".

  19. Pastaj pyetën Barukun duke i thënë: "Na thuaj tani si i shkrove tërë këto fjalë: nën diktimin e tij?".

  20. Baruku u përgjigj: "Ai më tha tërë këto fjalë me gojën e tij, dhe unë i kam shkruar me bojë në libër".

  21. Atëherë princat i thanë Barukut: "Shko dhe fshihu bashkë me Jeremian, dhe askush të mos dijë se ku jeni".

  22. Pastaj shkuan te mbreti, në oborr, mbasi e kishin lënë rrotullën në dhomën e shkruesit Elishama, dhe ia njoftuan mbretit tërë ato fjalë.

  23. Atëherë mbreti dërgoi Jehudin të marrë rrotullën; dhe ky e mori në dhomën e shkruesit Elishama. Pastaj Jehudi e lexoi në veshët e mbretit dhe të gjithë princave që ishin pranë mbretit.

  24. Mbreti rrinte ulur në pallatin e tij të dimrit, (ishte muaji i nëntë), me një mangall para tij që digjej mirë.

  25. Kur Jehudi lexoi tri o katër shtylla, mbreti e preu rrotullën me thikën e shkruesit dhe e hodhi në zjarrin që ishte në mangall, deri sa ajo u dogj krejt nga zjarri që ishte në mangall.