Numrat 9:6-14
6
Por kishte disa njerëz që ishin të papastër sepse kishin prekur trupin e vdekur të një personi dhe nuk mund ta kremtonin Pashkën atë ditë. Por këta njerëz u paraqitën po atë ditë përpara Moisiut dhe Aaronit,
7
dhe i thanë Moisiut: "Ne jemi të papastër sepse kemi prekur trupin e vdekur të një personi; pse vallë na pengohet të paraqesim ofertën e Zotit në kohën e duhur, në mes të bijve të Izraelit?".
8
Moisiu iu përgjegj atyre: "Prisni që të dëgjoj çfarë do të urdhërojë Zoti lidhur me ju".
9
Dhe Zoti i foli Moisiut, duke thënë:
10
"Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Në rast se dikush nga ju ose nga trashëgimtarët tuaj është i papastër për shkak të një trupi të vdekur, apo gjendet larg në udhëtim, do ta kremtojë njëlloj Pashkën për nder Zotit.
11
Do ta kremtojnë ditën e katërmbëdhjetë të muajit të dytë në të ngrysur; do të hanë bukë të ndorme dhe barishte të hidhura;
12
nuk do të lënë asnjë tepricë deri në mëngjes dhe nuk do të thyejnë asnjë kockë. Do ta kremtojnë simbas të gjitha statuteve të Pashkës.
13
Por ai që është i pastër dhe nuk është në udhëtim, në rast se nuk e kremton Pashkën, do të shfaroset në mes të popullit të tij, sepse nuk i paraqiti ofertën në kohën e duhur Zotit; ky njeri do të mbajë dënimin e mëkatit të tij.
14
Në rast se një i huaj që banon në mes jush kremton Pashkën e Zotit, ai duhet ta bëjë mbas statuteve dhe dekreteve të Pashkës. Ju do të keni një statut të vetëm për të huajin dhe për atë që ka lindur në vend".
Settings