Gjyqtarët 6:6-19
6
Kështu Izraeli u katandis në një varfëri të madhe për shkak të Madianit, dhe bijtë e Izraelit i klithën Zotit.
7
Kur bijtë e Izraelit e thirrën Zotin për shkak të Madianit,
8
Zoti u dërgoi bijve të Izraelit një profet, që u tha atyre: "Kështu flet Zoti, Perëndia i Izraelit: Unë ju nxora nga Egjipti dhe nga shtëpia e skllavërisë;
9
ju çlirova nga dora e Egjiptasve dhe nga dora e të gjithë atyre që ju shtypnin; i dëbova para jush dhe ju dhashë vendin e tyre,
10
dhe ju thashë: "Unë jam Zoti, Perëndia i juaj; mos kini frikë nga perënditë e Amorejve në vendin e të cilëve banoni"; por ju nuk ma keni dëgjuar fjalën".
11
Pastaj erdhi Engjëlli i Zotit dhe u ul nën lisin e Ofrahut, që i përkiste Joashit, Abiezeritit, ndërsa biri tij Gedeoni shtinte grurin në një vend të ngushtë për ta shpëtuar nga Madianitët.
12
Engjëlli i Zotit iu shfaq dhe i tha: "Zoti është me ty, o luftëtar trim!".
13
Gedeoni iu përgjegj: "Imzot, në rast se Zoti është me ne, atëherë pse na ndodhën tërë këto? Ku janë mrekullitë që na kanë treguar etërit tanë duke thënë: "A nuk na nxori Zoti nga Egjipti?". Por tani Zoti na ka braktisur dhe na ka lënë në duart e Madianit".
14
Atëherë Zoti iu drejtua atij dhe i tha: "Shko me këtë fuqi që ke dhe shpëtoje Izraelin nga dora e Madianit. A nuk jam unë që po të dërgoj?".
15
Ai iu përgjegj: "O Imzot, si mund ta shpëtoj Izraelin? Ja, familja ime është më e dobëta e Manasit, dhe unë jam më i vogli në shtëpinë e atit tim".
16
Zoti i tha: "Por unë do të jem me ty dhe ti ke për t'i mundur Madianitët sikur ata të ishin një njeri i vetëm".
17
Atëherë Gedeoni i tha: "Në rast se kam gjetur hirin tënd, më jep një shenjë se je ti ai që flet me mua.
18
Mos u largo, pra, që këtej para se të kthehem te ti, të të sjell blatimin e ushqimit dhe të ta vë përpara". Zoti tha: "Do të pres sa të kthehesh ti".
19
Atëherë Gedeoni hyri në shtëpi dhe përgatiti një kec dhe kuleç pa maja me një efa miell; e vuri mishin në një shportë dhe lëngun në një kusi, ia çoi atij nën lisin dhe ia ofroi.
Settings