Skip to content
Jozueu 6:1-16

Jozueu 6:1-16

1
Jeriko ishte i mbyllur dhe i mbrojtur mirë nga frika e bijve të Izraelit; askush nuk dilte dhe askush nuk hynte në të.
2
Zoti i tha Jozueut: "Shiko, unë të kam dhënë në dorë Jerikon, mbretin e tij dhe luftëtarët e tij trima.
3
Ju të gjithë, luftëtarët, do të marshoni rreth qytetit, do të silleni një herë rreth tij. Kështu do të bëni gjashtë ditë me radhë.
4
Shtatë priftërinj do të çojnë përpara arkës shtatë bori prej briri të dashit; por ditën e shtatë do të silleni rreth qytetit shtatë herë dhe priftërinjtë do t'u bien borive.
5
Kur ata t'u bien pa pushim brirëve të dashit dhe ju të dëgjoni zërin e borisë, tërë populli do të bëjë një ulurimë të madhe; atëherë muret e qytetit do të shemben dhe populli do të ngjitet, gjithsekush drejt, përpara.
6
Kështu Jozueu, bir i Nunit, thirri priftërinjtë dhe u tha atyre: "Merrni arkën e besëlidhjes dhe shtatë priftërinj të mbajnë shtatë bori prej briri të dashit përpara arkës së Zotit".
7
Pastaj i tha popullit: "Shkoni përpara dhe marshoni rreth qytetit, njerëzit e armatosur të ecin përpara arkës së Zotit".
8
Kështu, kur Jozueu mbaroi së foluri popullit, shtatë priftërinjtë që mbanin shtatë bori prej briri të dashit përpara Zotit nisën të marshojnë dhe u ranë borive; dhe arka e besëlidhjes së Zotit i ndiqte nga pas.
9
Njerëzit e armatosur marshonin përpara priftërinjve që u binin borive, kurse praparoja vinte pas arkës; gjatë marshimit priftërinjtë u binin borive.
10
Jozueu kishte urdhëruar popullin, duke i thënë: "Mos bërtitni, të mos dëgjohet as zëri juaj dhe të mos dalë asnjë fjalë nga goja juaj, deri ditën kur do t'ju them: "Bërtisni!". Atëherë do të bërtisni".
11
Kështu arka e Zotit u soll rreth qytetit një herë; pastaj u kthyen në kamp dhe aty e kaluan natën.
12
Jozueu u ngrit herët në mëngjes, dhe priftërinjtë morën arkën e Zotit.
13
Shtatë priftërinjtë, që mbanin shtatë boritë prej briri të dashit përpara arkës së Zotit, shkonin përpara dhe u binin borive. Njerëzit e armatosur marshonin para tyre, kurse praparoja vinte mbas arkës së Zotit; gjatë marshimit priftërinjtë u binin borive.
14
Ditën e dytë marshuan vetëm një herë rreth qytetit dhe pastaj u kthyen në kamp. Kështu vepruan gjashtë ditë me radhë.
15
Por ditën e shtatë u ngritën herët, në agim, dhe marshuan rreth qytetit në të njëjtën mënyrë shtatë herë; vetëm atë ditë marshuan shtatë herë rreth qytetit.
16
Herën e shtatë, kur priftërinjtë u ranë borive, Jozueu i tha popullit: "Bërtisni, sepse Zoti ju dha qytetin!
Settings

Reading Style

Typeface

Font Size 19px

Options