Gjoni 4:14-38
14
por kush pi nga uji që do t'i jap unë nuk do të ketë më kurrë etje përjetë; por uji që unë do t'i jap do të bëhet në të një burim uji që gufon në jetë të përjetshme''.
15
Gruaja i tha: ''Zot, më jep këtë ujë, që unë të mos kem më etje dhe të mos vij këtu të nxjerr ujë!''.
16
Jezusi i tha: ''Shko thirre burrin tënd dhe eja këtu''.
17
Gruaja u përgjigj dhe i tha: ''Unë nuk kam burrë''. Jezusi i tha: ''Mirë the: "Nuk kam burrë",
18
sepse ti kishe pesë burra dhe ky që ke tani nuk është burri yt; për këtë ke thënë të vërtetën!''.
19
Gruaja i tha: ''Zot, po shoh se ti je një profet.
20
Etërit tanë adhuronin mbi këtë mal, dhe ju thoni se në Jeruzalem është vendi ku duhet të adhurojmë''.
21
Jezusi i tha: ''O grua, më beso: vjen ora që as mbi këtë mal as në Jeruzalem nuk do të adhuroni Atin.
22
Ju adhuroni atë që s'e njihni; ne adhurojmë atë që njohim; sepse shpëtimi vjen nga Judenjtë.
23
Por vjen ora, madje ajo ka ardhur, që adhuruesit e vërtetë ta adhurojnë Atin në frymë dhe në të vërtetën, sepse të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati.
24
Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë duhet t'a adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën''.
25
Gruaja i tha: ''Unë e di se do të vijë Mesia, që e quajnë Krisht; kur të ketë ardhur, ai do të na kumtojë çdo gjë''.
26
Jezusi i tha: ''Unë jam, ai që po të flet!''.
27
Në këtë moment erdhën dishepujt e tij dhe u mrekulluan që po fliste me një grua; por asnjë nuk i tha: ''Çfarë do?'' ose: ''Pse po flet me të?''.
28
Atëherë gruaja e la kovën e saj dhe u kthye në qytet dhe u tha njerëzve:
29
''Ejani të shikoni një njeri që më ka thënë gjithçka kam bërë; vallë mos është ky Krishti?''.
30
Dolën, pra, nga qyteti dhe erdhën tek ai.
31
Ndërkaq dishepujt e vet po i luteshin duke thënë: ''Mësues, ha''.
32
Por ai u tha atyre: ''Unë kam një ushqim për të ngrënë të cilin ju s'e njihni''.
33
Prandaj dishepujt i thonin njëri-tjetrit: ''Mos i solli vallë dikush për të ngrënë?''.
34
Jezusi u tha atyre: ''Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të kryej veprën e tij.
35
A nuk thoni ju se ka edhe katër muaj dhe vjen korrja? Ja, unë po ju them: Ngrini sytë tuaj dhe shikoni fushat që tashmë zbardhojnë për korrjen.
36
Korrësi e merr shpërblimin dhe mbledh frytin për jetën e përjetshme, që mbjellësi dhe korrësi të gëzohen sëbashku.
37
Sepse në këtë vërtetohet e thëna: "Një mbjell e tjetri korr".
38
Unë ju dërgova të korrni atë për të cilin ju nuk u munduat; të tjerët u munduan dhe ju hytë në mundimin e tyre''.
Settings