Gjoni 19:1-16
1
Atëherë Pilati mori Jezusin dhe dha urdhër ta fshikullonin.
2
Dhe ushtarët thurrën një kurorë me gjemba, ia vunë mbi krye dhe i veshën siper një mantel të purpurt,
3
dhe thoshnin: ''Tungjatjeta, o mbret i Judenjve''; dhe i binin me shuplaka.
4
Pastaj Pilati doli përsëri dhe u tha atyre: ''Ja, po jua nxjerr jashtë, që ta dini se nuk gjej në të asnjë faj''.
5
Jezusi, pra, doli, duke mbajtur kurorën prej gjembash dhe mantelin e purpurit. Dhe Pilati u tha atyre: ''Ja njeriu!''.
6
Kur e panë krerët e priftërinjve dhe rojet, filluan të bërtasin, duke thënë: ''Kryqëzoje, kryqëzoje!''. Pilati u tha atyre: ''Merreni ju dhe kryqëzojeni, sepse unë nuk gjej në të asnjë faj''.
7
Judenjtë iu përgjigjën: ''Ne kemi një ligj dhe sipas ligjit tonë ai duhet të vdesë, sepse e bëri veten Bir të Perëndisë''.
8
Kur Pilati i dëgjoi këto fjalë, kishte akoma më shumë frikë;
9
dhe, si u kthye në pretorium, i tha Jezusit: ''Nga je ti?''. Por Jezusi nuk i dha kurrfarë përgjigje.
10
Për këtë arsye Pilati i tha: ''S'po më flet? ti s'e di që unë kam pushtet të të kryqëzoj dhe pushtet të të liroj?''.
11
Jezusi u përgjigj: ''Ti nuk do të kishe asnjë pushtet përmbi mua, po të mos të qe dhënë prej së larti; prandaj ai që më dorëzoi tek ti ka faj më të madh''.
12
Që nga ai moment Pilati kërkoi ta lironte; por Judenjtë bërtisnin, duke thënë: ''Po e lirove këtë, nuk je mik i Cezarit; kush e bën veten mbret, i kundërvihet Cezarit''.
13
Pilati, pra, kur i dëgjoi këto fjalë, e çoi jashtë Jezusin dhe u ul në selinë e gjykatës, në vendin e quajtur "Kalldrëm", e në hebraisht "Gabatha";
14
tani ishte dita e përgatitjes së Pashkës, dhe ishte afërsisht ora e gjashtë; dhe u tha Judenjve: ''Ja mbreti juaj''.
15
Por ata bërtitën: ''Largoje! Largoje! Kryqëzoje!''. Pilati u tha atyre: ''Ta kryqëzoj mbretin tuaj?''. Krerët e priftërinjve u përgjigjën: ''Ne s'kemi mbret tjetër përveç Cezarit!''.
16
Atëherë ai ua dorëzoi që të kryqëzohej. Dhe ata e morën Jezusin dhe e çuan tutje.
Settings