Eksodi 5:6-23
6
Kështu po atë ditë Faraoni i urdhëroi shtypësit e popullit dhe kryeintendentët e tij, duke thënë:
7
"Mos i jepni më kashtë popullit për të bërë tulla, si më parë; le të shkojnë ata vetë të mbledhin kashtën!
8
Por i detyroni të prodhojnë të njëjtën sasi tullash që bënin më parë, pa asnjë pakësim; sepse ata janë përtacë, dhe për këtë arsye ata bërtasin, duke thënë: "Të shkojmë të bëjmë fli për Perëndinë tonë!".
9
I mbingarkoni me punë të rëndë këta njerëz, dhe ata ta kryejnë pa u vënë veshin fjalëve mashtruese".
10
Atëherë shtypësit e popullit dhe kryeintendentët e tij dolën dhe i thanë popullit: "Kështu thotë Faraoni: "Unë nuk do t'ju jap më kashtë.
11
Shkoni vetë ta gjeni kashtën ku mund të jetë, sepse puna juaj nuk do të pakësohet aspak"".
12
Kështu populli u shpërnda në të gjithë vendin e Egjiptit, për të mbledhur kallamishte në vend të kashtës.
13
Dhe kontrollorët i nxisnin duke thënë: "Përfundoni punën tuaj çdo ditë si në kohën kur kishte kashtë!".
14
Dhe kryepunëtorët e skuadrave të bijve të Izraelit, të caktuar mbi ta nga kontrollorët e Faraonit, i rrahën dhe i pyetën: "Pse nuk e keni përfunduar, dje dhe sot si më parë, sasinë e caktuar të tullave?".
15
Atëherë kryepunëtorët e skuadrave të bijve të Izraelit erdhën për të protestuar te Faraoni, duke thënë: "Pse sillesh kështu me shërbëtorët e tu?
16
Nuk u jepet më kashtë shërbëtorëve të tu, dhe na thuhet: "Bëni tulla!". Dhe ja, shërbëtorët e tu i rrahin, por faji është i popullit tënd".
17
Atëherë ai u përgjigj: "Jeni përtacë, shumë përtacë! Për këtë arsye thoni: "Të bëjmë fli për Zotin".
18
Shkoni, pra, të punoni! Nuk do t'ju jepet kashtë, por do të dorëzoni po atë sasi tullash".
19
Kryepunëtorët e skuadrave të bijve të Izraelit u bindën se i gjeti halli, sepse u thuhej: "Mos e pakësoni në asnjë mënyrë numrin e caktuar të tullave për çdo ditë".
20
Pastaj, si dolën nga Faraoni, takuan Moisiun dhe Aaronin, që po i prisnin,
21
dhe u thanë atyre: "Le t'i hedhë sytë Zoti mbi ju dhe le të gjykojë, sepse na keni bërë të urryer në sytë e Faraonit dhe në sytë e shërbëtorëve të tij duke vënë në duart e tyre shpatën për të na vrarë".
22
Atëherë Moisiu u kthye te Zoti dhe i tha: "O Perëndi, pse e fute në halle këtë popull? Pse pra më dërgove?
23
Sepse, qysh prej ditës që vajta te Faraoni, për t'i folur në emrin tënd, ai i ka bërë të keqe këtij populli dhe ti nuk e çlirove aspak popullin tënd".
Settings