Veprat e Apostujve 22:22-30
22
Ata e dëgjuan deri në këtë pikë; pastaj ngritën zërin duke thënë: ''Hiqe nga bota një njeri të tillë, sepse nuk është i denjë të rrojë!''.
23
Duke qenë se ata bërtisnin, duke i flakur rrobat e duke ngritur pluhurin në erë,
24
kryemijësi urdhëroi ta çonin Palin në fortesë, duke urdhëruar që ta marrin në pyetje duke e rrahur me kamxhik, që të merrej vesh për çfarë arsye ata bërtisnin kështu kundër tij.
25
Por, kur e shtrinë, të lidhur me rripa, Pali i tha centurionit që ishte aty: ''A është e ligjshme për ju të rrihni me kamxhik një qytetar romak, ende të pagjykuar?''.
26
Kur e dëgjoi, centurioni shkoi e i tregoi kryemijësit duke thënë: ''Çfarë do të bësh? Ky njeri është një qytetar romak!''.
27
Atëherë kryemijësi shkoi te Pali dhe e pyeti: ''Më thuaj, a je një qytetar romak?''. Ai tha: ''Po, jam!''.
28
Kryemijësi u përgjigj: ''Unë e kam fituar këtë qytetëri me një shumë të madhe''. Pali tha: ''Kurse unë e kam qysh prej lindjes!''.
29
Menjëherë ata që duhet ta merrnin në pyetje u larguan prej tij; dhe vetë kryemijësi, kur mori vesh se ai ishte qytetar romak, pati frikë që e kishte lidhur.
30
Të nesërmen, duke dashur të marrë vesh me saktësi përse ishte akuzuar nga Judenjtë, e zgjidhi nga prangat dhe urdhëroi krerët e priftërinjve dhe gjithë sinedrin të vinin. Pastaj, si e sollën poshtë Palin, e nxori përpara tyre.
Settings