உள்ளடக்கத்திற்குச் செல்க
Veprat e Apostujve 10:19-33

Veprat e Apostujve 10:19-33

19
Ndërsa Pjetri po mendohej lidhur me vegimin, Fryma i tha: ''Ja, po të kërkojnë tre burra.
20
Çohu, pra, zbrit e shko me ta pa asnjë ngurrim, sepse unë jam ai që t'i kam dërguar''.
21
Atëherë Pjetri zbriti te njerëzit që i ishin dërguar nga Korneli dhe u tha atyre: ''Ja, unë jam ai që kërkoni; cila është arsyeja për të cilën jeni këtu?''.
22
Dhe ata i thanë: ''Centurioni Kornel, njeri i drejtë dhe që e druan Perëndinë, për të cilin gjithë kombi i Judenjve dëshmon, është lajmëruar në mënyrë hyjnore nga një engjëll i shenjtë të të thërrasë ty në shtëpinë e tij për të dëgjuar fjalët që ke për t'i thënë''.
23
Atëherë Pjetri i ftoi të hyjnë dhe i përbujti; pastaj, të nesërmen, shkoi me ta; dhe disa nga vëllezërit e Jopes e shoqëruan.
24
Një ditë më pas hynë në Cezare. Por Korneli po i priste dhe kishte mbledhur farefisin e tij dhe miqtë e tij të ngushtë.
25
Kur hyri Pjetri, Korneli i doli para, i ra ndër këmbë dhe e adhuroi.
26
Por Pjetri e ngriti duke thënë: ''Çohu, edhe unë jam një njeri!''.
27
Dhe, duke biseduar me të, hyri dhe gjeti mbledhur shumë njerëz.
28
Dhe ai u tha atyre: ''Ju e dini se nuk është e ligjshme që një Jude të shoqërohet me një të huaj ose të hyjë në shtëpinë e tij; por Perëndia më dëftoi që të mos e quaj asnjë njeri të papastër a të ndotur.
29
Prandaj, sapo më ftuat të vij, erdha pa kundërshtuar. Tani po ju pyes: për ç'arsye më keni dërguar ftesë?''.
30
Dhe Korneli u përgjigj: ''Para katër ditësh kisha agjëruar deri në këtë orë, dhe në orën e nëntë po lutesha në shtëpinë time, kur ja, një njeri me rroba të shndritshme qëndroi para meje,
31
dhe tha: "Kornel, lutja jote t'u plotësua dhe lëmoshat e tua u kujtuan para Perëndisë.
32
Dërgo, pra, ndonjë njeri në Jope dhe thirre Simonin, të mbiquajtur Pjetër; ai ndodhet në shtëpinë e Simonit, regjës lëkurësh, pranë detit; dhe, kur të vijë, ai do të të flasë".
33
Kështu dërgova menjëherë të të thërrasin, dhe ti bëre mirë që erdhe; tani ne këtu jemi të gjithë në prani të Perëndisë për të dëgjuar gjithçka që Perëndia të ka urdhëruar''.
Settings

Reading Style

Typeface

Font Size 19px

Reading Width 45 chars

Options