2 Kronikave 35:9-19
9
Përveç kësaj Konaniahu, bashkë me vëllezërit e tij Shemajah dhe Nethaneel, dhe Hashabiahu, Jeijeli dhe Jozabadi, krerë të Levitëve, u dhanë Levitëve për flijimet e Pashkës pesë mijë qengja dhe keca si edhe pesëqind qe.
10
Sa u përgatit shërbimi, priftërinjtë zunë vendet e tyre, dhe Levitët sipas klasave të tyre, në bazë të urdhrit të dhënë nga mbreti.
11
Pastaj flijuan Pashkën; priftërinjtë e spërkatnin gjakun me duart e tyre, ndërsa Levitët ripnin kafshët.
12
Kështu vunë mënjanë olokaustet për t'ua shpërndarë bijve të popullit, sipas ndarjeve të shtëpive atërore, me qëllim që t'ia ofronin Zotit, siç është shkuar në librin e Moisiut. Vepruan njëlloj me qetë.
13
Pastaj poqën qengjat e Pashkës mbi zjarr sipas normave të përcaktuara; por ofertat e tjera të shenjtëruara i gatuan në tenxhere, në kazanë dhe në tiganë dhe ua shpërndanë menjëherë tërë bijve të popullit.
14
Pastaj përgatitën racione për vete dhe për priftërinjtë, sepse priftërinjtë, bijtë e Aaronit, ishin të zënë deri në mbrëmje për të ofruar olokaustet dhe pjesët me dhjamë; kështu Levitët përgatitën racione për vete dhe për priftërinjtë, bij të Aaronit.
15
Këngëtarët, bij të Asafit, ishin në vendin e tyre, sipas urdhrit të Davidit, të Asafit, të Hemanit dhe të Jeduthunit, shikuesit të mbretit. Në çdo portë kishte derëtarë; këta nuk patën nevojë të largoheshin nga shërbimi i tyre, sepse Levitët, vëllezërit e tyre, kishin përgatitur racione për ata.
16
Kështu atë ditë tërë shërbimi i Zotit u përgatit për të kremtuar Pashkën dhe për të ofruar olokauste mbi altarin e Zotit, sipas urdhrit të mbretit Josia.
17
Bijtë e Izraelit, që ishin të pranishëm, e kremtuan atëherë festën e Pashkës dhe festën e të ndormëve shtatë ditë me radhë.
18
Në Izrael nuk ishte kremtuar një Pashkë si ajo që nga koha e profetit Samuel. Asnjë nga mbretërit e Izraelit nuk kishte kremtuar ndonjëherë një Pashkë si ajo që u kremtua nga Josia, me pjesëmarrjen e priftërinjve, të Levitëve, të gjithë Judës dhe të Izraelit, të pranishëm bashkë me banorët e Jeruzalemit.
19
Kjo Pashkë u kremtua në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërimit të Josias.
Settings