1 Samuelit 30:8-19
8
Kështu Davidi u këshillua me Zotin dhe e pyeti: "A duhet ta ndjek këtë bandë? Do ta arrij?". Zoti iu përgjegj: "Ndiqe, sepse do ta arrish me siguri dhe do të rimarrësh pa tjetër çdo gjë".
9
Kështu Davidi u nis me gjashtëqind njerëzit që kishte me vete dhe arriti në përruan Besor, ku u ndalën ata që kishin mbetur prapa;
10
por Davidi vazhdoi ndjekjen me katërqind njerëz, kurse dyqind mbetën prapa, sepse ishin tepër të lodhur për të kapërcyer përruan e Besorit.
11
Gjetën në fushë një Egjiptas dhe ia çuan Davidit. I dhanë bukë për të ngrënë dhe ujë për të pirë;
12
i dhanë gjithashtu një copë bukë fiku dhe dy vile rrushi. Pasi hëngri, ai e mblodhi veten, sepse nuk kishte ngrënë bukë as nuk kishte pirë ujë tri ditë e tri netë me radhë.
13
Davidi e pyeti: "Ti kujt i përket dhe nga vjen?". Ai u përgjegj: "Jam një egjiptas i ri, shërbëtor i një Amalekiti; pronari im më braktisi, sepse tri ditë më parë u sëmura.
14
Kemi bërë një plaçkitje në jug të Kerethejve, në territorin e Judës dhe në jug të Tsalebit, dhe i kemi vënë zjarrin Tsiklagut".
15
Davidi i tha: "A mund të më çosh poshtë ku ndodhet kjo bandë?". Ai u përgjegj: "Betomu në emër të Perëndisë që nuk do të më vrasësh dhe nuk do të më dorëzosh në duart e pronarit tim, dhe unë do të çoj poshtë, aty ku gjendet kjo bandë".
16
Dhe e çoi poshtë; dhe ja Amalekitët ishin shpërndarë në të gjithë vendin; hanin, pinin dhe bënin festë për plaçkën e madhe që kishin sjellë nga vendi i Filistejve dhe nga vendi u Judës.
17
Davidi i sulmoi nga muzgu deri në mbrëmjen e ditës tjetër; asnjeri prej tyre nuk shpëtoi, përveç katërqind të rinjve që u hipën deveve dhe ia mbathën.
18
Kështu Davidi rimori të gjitha ato që Amalekitët kishin marrë me vete; Davidi gjeti edhe dy gratë e tij.
19
Kështu ata nuk humbën asgjë, as të vegjëlit as të rriturit, as bijtë as bijat, as plaçkat dhe as ndonjë gjë tjetër që u kishin marrë. Davidi i rimori të gjitha.
Settings