Mateu 17:1-13
1
Mbas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, vëllanë e tij, dhe i çoi mbi një mal të lartë, në vetmi;
2
dhe u shpërfytyrua përpara tyre: fytyra e tij shkëlqeu si dielli dhe rrobat e tij u bënë të bardha si drita.
3
Dhe ja, iu shfaqën atyre Moisiu dhe Elia, të cilët bisedonin me të.
4
Atëherë Pjetri, duke marrë fjalën, i tha Jezusit: ''Zot, është mirë që ne jemi këtu; po të duash, do të ngremë këtu tri çadra: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elian''.
5
Ndërsa ai fliste akoma, ja një re plot dritë i mbuloi; dhe nga reja u dëgjua një zë që thoshte: ''Ky është Biri im i dashur, në të jam kënaqur: dëgjojeni!''.
6
Dhe dishepujt, sapo e dëgjuan këtë, ranë me fytyrë për tokë dhe i zuri një frikë e madhe.
7
Por Jezusi u afrua, i preku dhe tha: ''Çohuni dhe mos kini frikë!''.
8
Dhe ata, kur i çuan sytë, nuk panë njeri, përveç Jezusit vetëm.
9
Pastaj, kur po zbrisnin nga mali, Jezusi u dha atyre këtë urdhër duke thënë: ''Mos i flisni askujt për këtë vegim, derisa i Biri i njeriut të jetë ringjallur prej së vdekuri''.
10
Atëherë dishepujt e tij e pyetën duke thënë: ''Vallë pse skribët thonë se duhet të vijë më parë Elia?''.
11
Dhe Jezusi u përgjigj: ''Vërtetë Elia duhet të vijë më parë dhe të rivendosë çdo gjë.
12
Por unë ju them se Elia ka ardhur dhe ata nuk e kanë njohur, madje u sollën me të si deshën; kështu edhe Birit të njeriut do t'i duhet të vuajë prej tyre''.
13
Atëherë dishepujt e kuptuan se u kishte folur për Gjon Pagëzorin.
Settings