Luka 11:16-28
16
Kurse disa nga ata, për ta vënë në provë, kërkonin prej tij një shenjë nga qielli.
17
Por ai, duke i njohur mendimet e tyre, u tha atyre: ''Çdo mbretëri, e përçarë në vetvete shkatërrohet, dhe çdo shtëpi e përçarë në vetvete rrëzohet.
18
Po të jetë, pra, edhe Satanai i përçarë në vetvete, si do të mund të qëndrojë mbretëria e tij? Sepse ju thoni se unë i dëboj demonët nëpërmjet Beelzebubit.
19
Por, nëse unë i dëbokam demonët nëpërmjet Beelzebubit, nëpërmjet kujt i dëbojnë ata bijtë tuaj? Prandaj ata do të jenë gjykatësit tuaj.
20
Por në se unë i dëboj demonët me gishtin e Perëndisë, mbretëria e Perëndisë, pra ka arritur deri te ju.
21
Kur burri i fortë, i armatosur mirë, e ruan shtëpinë e vet, pasuria e tij është në paqe.
22
Por në qoftë se vjen një më i fortë se ai dhe e mund atë, ia merr armët në të cilat kishte shpresë dhe i ndan plaçkat e tij.
23
Kush nuk është me mua, është kundër meje dhe kush nuk mbledh me mua, shpërndan.
24
Kur fryma e ndyrë del nga një njeri, endet në vende të shkreta, duke kërkuar pushim, dhe duke mos e gjetur dot, thotë: "Do të kthehem në shtëpinë time nga dola".
25
Dhe, kur kthehet, e gjen të fshirë e të zbukuruar,
26
atëherë shkon e merr me vete shtatë frymëra të tjerë më të këqij se ai, dha ata hyjnë aty dhe banojnë aty; dhe gjendja e fundit e atij njeriu bëhet më e keqe se e para''.
27
Ndodhi që, ndërsa ai po thoshte këto gjëra, një grua nga turma e çoi zërin e saj dhe i tha: ''Lum barku që të barti dhe gjinjtë që të mëndën''.
28
Por ai u tha: ''Me tepër lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë''.
Settings