Skip to content
Veprat e Apostujve 9:1-22

Veprat e Apostujve 9:1-22

1
Ndërkaq Sauli, duke shfryrë akoma kërcënime dhe kërdi kundër dishepujve të Zotit, shkoi te kryeprifti,
2
dhe kërkoi nga ai letra për sinagogat e Damaskut, me qëllim që, po të gjente ndonjë ithtar të Udhës, burra o gra, të mund t'i sillte të lidhur në Jeruzalem.
3
Por ndodhi që, ndërsa po udhëtonte dhe po i afrohej Damaskut, befas rreth tij vetëtiu një dritë nga qielli.
4
Dhe, si u rrëzua përtokë, dëgjoi një zë që i thoshte: ''Saul, Saul, përse më përndjek?''.
5
Dhe ai tha: ''Kush je, Zot?''. Dhe Zoti tha: ''Unë jam Jezusi, që ti e përndjek; është e rëndë për ty të godasësh me shkelm kundër gjembave''.
6
Atëherë ai, duke u dridhur i tëri dhe i trembur, tha: ''Zot, ç'don ti të bëj unë?''. Dhe Zoti: ''Çohu dhe hyr në qytet, dhe do të të thuhet ç'duhet të bësh''.
7
Dhe njerëzit që udhëtonin me të ndaluan të habitur, sepse dëgjonin tingullin e zërit, por nuk shikonin njeri.
8
Pastaj Sauli u çua nga toka, por, kur i çeli sytë, nuk shihte asnjeri; atëherë e morën për dore dhe e çuan në Damask.
9
Dhe mbeti tri ditë pa të parit, as hëngri as piu.
10
Në Damask ishte një dishepull me emër Anania, të cilit Zoti i tha në vegim: ''Anania!''. Dhe ai u përgjigj: ''Ja ku jam, Zot!''.
11
Dhe Zoti i tha: ''Çohu dhe shko në rrugën e quajtur E drejtë, dhe kërko në shtëpinë e Judës një njeri nga Tarsi me emër Saul, i cili po lutet;
12
ai ka parë në vegim një njeri, me emër Anania, duke hyrë dhe duke i vënë duart për t'ia kthyer dritën e syve''.
13
Atëherë Anania u përgjigj: ''O Zot, nga shumë veta kam dëgjuar për këtë njeri se sa të këqija u ka bërë shenjtorëve të tu në Jeruzalem.
14
Dhe ai ka këtu një autorizim nga krerët e priftërinjve për të burgosur të gjithë ata që thërrasin emrin tënd''.
15
Por Zoti i tha: ''Shko, sepse ai është vegla që unë kam zgjedhur për ta sjellë emrin tim përpara johebrenjve, mbretërve dhe bijve të Izraelit.
16
Sepse unë do t'i tregoj atij sa shumë i duhet të vuajë për emrin tim''.
17
Atëherë Anania shkoi dhe hyri në atë shtëpi; dhe, duke i vënë duart, tha: ''Vëlla Saul, Zoti Jezus, që të është shfaqur në rrugën nëpër të cilën ti po vije, më ka dërguar që të kesh përsëri dritën e syve dhe të mbushesh me Frymën e Shenjtë''.
18
Në këtë çast i ranë nga sytë disa si luspa, dhe ai fitoi përsëri të parit; pastaj u ngrit dhe u pagëzua.
19
Dhe, mbasi mori ushqim, ai u ripërtëri në forcë. Pastaj Sauli qëndroi disa ditë me dishepujt që ishin në Damask.
20
Dhe filloi menjëherë të predikojë Krishtin në sinagoga se ai është Biri i Perëndisë.
21
Dhe të gjithë ata që e dëgjonin çuditeshin dhe thoshnin: ''Po a nuk është ky ai që në Jeruzalem përndiqte të gjithë ata që e thërrisnin këtë emër, dhe ka ardhur këtu me synim që t'i çojë si robër te krerët e priftërinjve?''.
22
Por Sauli bëhej gjithnjë e më i fortë dhe i hutonte Judenjtë që banonin në Damask, duke ua vërtetuar se Jezusi është Krishti.
Settings

Reading Style

Typeface

Font Size 19px

Options