Skip to content
2 Samuelit 10:6-19

2 Samuelit 10:6-19

6
Kur bijtë Amonit e kuptuan që ishin bërë të urryer për Davidin, dërguan të rekrutojnë njëzet mijë këmbësorë te Sirët e Beth-Rehobit dhe te Sirët e Tsobas, një mijë njerëz të mbretit të Maakahut dhe dymbëdhjetë mijë nga njerëzit e Tobit.
7
Me të dëgjuar këtë lajm, Davidi dërgoi kundër tyre Joabin me gjithë ushtrinë e njerëzve trima.
8
Bijtë e Amonit dolën dhe u renditën për betejë në hyrjen e portës së qytetit, ndërsa Sirët e Tsobas dhe të Rehobit, dhe njerëzit e Tobit dhe të Maakahut u rreshtuan në fushë të hapur.
9
Kur Joabi e kuptoi se kundër tij ishin dy fronte beteje, njeri nga përpara dhe tjetri nga prapa, ai zgjodhi disa nga njerëzit më të mirë të Izraelit dhe i renditi për betejë kundër Sirëve;
10
Pjesën tjetër të njerëzve e la në duart e vëllait të tij Abishai për t'i renditur kundër bijve të Amonit.
11
Pastaj i tha: "Në qoftë se Sirët janë më të fortë se unë, ti do të më vish në ndihmë; por në qoftë se bijtë e Amonit janë më të fortë se ti, atëherë unë do të të vij në ndihmë.
12
Tregohu guximtar dhe të jemi të fortë për të mbrojtur popullin tonë dhe qytetet e Perëndisë tonë; dhe Zoti të bëjë atë që i pëlqen".
13
Pastaj Joabi me gjithë njerëzit e tij ecën përpara për të luftuar kundër Sirëve; por këta ikën para tij.
14
Kur bijtë e Amonit panë që Sirët kishin ikur, ua mbathën edhe ata para Abishait dhe hynë përsëri në qytet. Atëherë Joabi u kthye nga ekspedita kundër bijve të Amonit dhe erdhi në Jeruzalem.
15
Kur Sirët panë që ishin mundur nga Izraeli, u mblodhën të tërë.
16
Hadadezeri dërgoi lajmëtarë për të sjellë Sirët që ishin matanë Lumit. Ata arritën në Helam, me komandantin e ushtrisë të Hadedezerit, Shobakun, në krye.
17
Kur Davidi u njoftua për këtë gjë, mblodhi tërë Izraelin, kaloi Jordanin dhe arriti në Helam. Sirët u radhitën kundër Davidit dhe nisën betejën.
18
Por Sirët ua mbathën përpara Izraelit; dhe Davidi vrau nga Sirët njerëzit e shtatëqind qerreve dhe dyzet mijë kalorës, goditi Shobakun, komandantin e ushtrisë së tyre, i cili vdiq në atë vend.
19
Kur tërë mbretërit vasalë të Hadadezerit e panë që ishin mundur nga Izraeli, bënë paqe me Izraelin dhe iu nënshtruan atij. Kështu Sirët patën frikë të ndihmonin akoma bijtë e Amonit.
Settings

Reading Style

Typeface

Font Size 19px

Options