1 Mbretërve 8:54-66
54
Kur Salomoni mbaroi së drejtuari Zotit tërë këtë lutje dhe kërkesë, ai u ngrit para altarit të Zotit ku ishte gjunjëzuar me duart e shtrira në drejtim të qiellit.
55
Pastaj u ngrit dhe bekoi tërë asamblenë e Izraelit me zë të lartë, duke thënë:
56
"I bekuar qoftë Zoti, që i dha paqe popullit të Izraelit, sipas gjithë atyre premtimeve që kishte bërë; as edhe një fjalë e vetme nuk mbeti pa u zbatuar nga të gjitha premtimet e bëra prej tij me anë të shërbëtorit të tij Moisi.
57
Zoti, Perëndia ynë, qoftë me ne ashtu siç ka qenë me etërit tanë; mos na lëntë dhe mos na braktistë,
58
por t'i kthejë zemrat tona nga ai, me qëllim që ne të ecim në të gjitha rrugët e tij dhe t'u bindeni urdhërimet e tij, statutet e tij dhe dekretet e tij që u ka parashtruar etërve tanë.
59
Këto fjalë, që i kam drejtuar si lutje Zotit, mbetshin pranë Zotit, Perëndisë tonë, ditë e natë, me qëllim që Ai të përkrahë çështjen e shërbëtorit të tij dhe çështjen e popullit të tij, sipas nevojës së përditshme,
60
me qëllim që tërë popujt e dheut të pranojnë që Zoti është Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër veç tij.
61
Le të jetë, pra, zemra juaj e dhënë plotësisht Zotit, Perëndisë tonë, për të ndjekur statutet e tij dhe për të respektuar urdhërimet e tij, si po bëni sot!".
62
Pastaj mbreti dhe tërë Izraeli bashkë me të ofruan flijime përpara Zotit.
63
Salomoni flijoi si flijim falënderimi, që ai i ofroi Zotit, njëzet e dy mijë lopë dhe njëqind e njëzet mijë dele. Kështu mbreti dhe tërë bijtë e Izraelit ia kushtuan shtëpinë e Zotit.
64
Po atë ditë mbreti shenjtëroi pjesën qendrore të oborrit, që ndodhet përpara shtëpisë të Zotit; në fakt atje ai ofroi olokauste, blatimet ushqimore dhe dhjamin e flijimeve të falënderimit, sepse altari prej bronzi, që ndodhet përpara Zotit, ishte tepër i vogël për të nxënë olokaustet, blatimet e ushqimit dhe dhjamin e flijimeve të falënderimit.
65
Në atë kohë Salomoni kremtoi një festë përpara Zotit, Perëndisë tonë, dhe tërë Izraeli qe bashkë me të. Me të u bashkua një kuvend i madh njerëzish, të ardhur nga rrethet e Hamathit deri në përruan e Egjiptit, për shtatë ditë dhe për shtatë ditë të tjera, gjithsej për katërmbëdhjetë ditë.
66
Ditën e tetë ai e shpërndau popullin, dhe ata që ishin mbledhur e bekuan mbretin dhe u kthyen në çadrat e tyre të gëzuar dhe me zemër të kënaqur për tëtë të mirat që Zoti u kishte bërë shërbëtorit të tij David dhe Izraelit, popullit të tij.
Settings