Jozueu 10:16-27
16
Por ata pesë mbretër kishin ikur me vrap dhe ishin fshehur në shpellën e Makedahut.
17
Këtë ia thanë Jozueut: "Pesë mbretërit u gjetën të fshehur në shpellën e Makedahut".
18
Atëherë Jozueu tha: "Rrukullisni gurë të mëdhenj te hyrja e shpellës dhe vini njerëz që t'i ruajnë.
19
Ju ndërkaq mos u ndalni, por ndiqni armiqtë tuaj dhe goditni prapavijat e tij; mos i lejoni të hyjnë në qytetet e tyre, sepse Zoti, Perëndia juaj, i ka lënë në duart tuaja".
20
Kur Jozueu dhe bijtë e Izraelit mbaruan së shfarosuri armiqtë e tyre me një kërdi të madhe deri sa i zhdukën krejt, dhe ata që shpëtuan kërkuan strehë në qytetet e fortifikuara,
21
tërë populli u kthye shëndoshë e mirë pranë Jozueut në kampin e Makedahut. Askush nuk guxoi të flasë kundër ndonjërit prej bijve të Izraelit.
22
Atëherë Jozueu ta: "Hapni hyrjen e shpellës, nxirrni jashtë saj të pesë mbretërit dhe m'i sillni".
23
Kështu vepruan; nxorën nga shpella të pesë mbretërit dhe i çuan tek ai, domethënë mbreti i Jeruzalemit, mbreti i Hebronit, mbreti i Jarmuthit, mbreti i Lakishit dhe mbreti i Eglonit.
24
Kur u nxorën jashtë këta mbretër dhe u çuan tek Jozueu, ky thirri tërë njerëzit e Izraelit dhe u tha krerëve të luftëtarëve që kishin shkuar bashkë me të: "Afrohuni dhe vini këmbët tuaja mbi qafën e këtyre mbretërve". Ata u afruan dhe vunë këmbët e tyre mbi qafën e tyre.
25
Pastaj Jozueu u tha: "Mos kini frikë, mos u tmerroni, tregohuni të fortë dhe trima, sepse kështu do të veprojë Zoti me të gjithë armiqtë tuaj kundër të cilëve duhet të luftoni".
26
Pas kësaj Jozueu i rrahu dhe i bëri të vdesin, pastaj i vari në pesë pemë, ku mbetën të varur deri në mbrëmje.
27
Në perëndim të diellit, Jozueu urdhëroi t'i ulnin nga drurët dhe t'i hidhnin në shpellën ku ishin fshehur; pastaj në hyrje të shpellës vunë gurë të mëdhenj, që kanë mbetur aty deri sot.
Settings