Jeremia 36:11-32
11
Mikajahu, biri i Gemariahut, që ishte bir i Shafanit, dëgjoi tërë fjalët e Zotit që u lexuan nga libri.
12
Zbriti pastaj në shtëpinë e mbretit, në dhomën e shkruesit, dhe ja, aty rrinin ulur tërë princat: Elishama shkruesi, Delahaju, biri i Shemajahut, Elnathani biri i Akborit, Gemariahu biri i Shafanit, Sedekia biri i Hananiahut, dhe tërë princat e tjerë.
13
Mikajahu u tregoi tërë fjalët që kishte dëgjuar, ndërsa Baruku lexonte librin në veshët e popullit.
14
Atëherë tërë princat i dërguan Barukut Jehudin, birin e Nethaniahut, bir i Shelemiahut, bir i Kushit, për t'i thënë: "Merr në dorë rrotullën që lexove në veshët e popullit dhe eja". Kështu Baruku, bir i Neriahut, mori në dorë rrotullën dhe erdhi tek ata.
15
Ata i thanë: "Ulu dhe lexoje para nesh". Dhe Baruku e lexoi në veshët e tyre.
16
Kur dëgjuan tërë ato fjalë, patën frikë dhe duke shikuar njëri tjetrin i thanë Barukut: "Duhet t'ia tregojmë pa tjetër mbretit tërë këto fjalë".
17
Pastaj pyetën Barukun duke i thënë: "Na thuaj tani si i shkrove tërë këto fjalë: nën diktimin e tij?".
18
Baruku u përgjigj: "Ai më tha tërë këto fjalë me gojën e tij, dhe unë i kam shkruar me bojë në libër".
19
Atëherë princat i thanë Barukut: "Shko dhe fshihu bashkë me Jeremian, dhe askush të mos dijë se ku jeni".
20
Pastaj shkuan te mbreti, në oborr, mbasi e kishin lënë rrotullën në dhomën e shkruesit Elishama, dhe ia njoftuan mbretit tërë ato fjalë.
21
Atëherë mbreti dërgoi Jehudin të marrë rrotullën; dhe ky e mori në dhomën e shkruesit Elishama. Pastaj Jehudi e lexoi në veshët e mbretit dhe të gjithë princave që ishin pranë mbretit.
22
Mbreti rrinte ulur në pallatin e tij të dimrit, (ishte muaji i nëntë), me një mangall para tij që digjej mirë.
23
Kur Jehudi lexoi tri o katër shtylla, mbreti e preu rrotullën me thikën e shkruesit dhe e hodhi në zjarrin që ishte në mangall, deri sa ajo u dogj krejt nga zjarri që ishte në mangall.
24
As mbreti dhe askush nga shërbëtorët e tij që i dëgjuan tërë këto fjalë nuk u trembën ose t'i grisnin rrobat e tyre.
25
Dhe megjithëse Elnathani, Delajahu dhe Gemariahu e lutën shumë mbretin që të mos e digjte rrotullën, ai nuk deshi t'i dëgjonte.
26
Madje mbreti urdhëroi Jerahmeelin, birin e mbretit, Serajahun, birin e Azrielit dhe Shelemiahun, birin e Abdelit, të kapnin shkruesin Baruk dhe profetin Jeremia. Por Zoti i fshehu.
27
Mbasi mbreti dogji rrotullën dhe fjalët që Baruku kishte shkruar nën diktimin e Jeremias, fjala e Zotit iu drejtua Jeremias, duke thënë:
28
"Merr përsëri një rrotull tjetër dhe shkruaj mbi të tërë fjalët e mëparshme, që ishin në rrotullën e parë të djegur nga Jehojakimi, mbreti i Judës.
29
Dhe Jehojakimit, mbretit të Judës, do t'i thuash: Kështu thotë Zoti: Ti ke djegur këtë rrotull, duke thënë: "Pse ke shkruar në të që mbreti i Babilonisë do të vijë me siguri dhe do ta shkatërrojë këtë vend, duke bërë të zhduken prej tij njerëz dhe kafshë?".
30
Prandaj kështu thotë Zoti për Jehojakimin, mbretin e Judës: Ai nuk do të ketë njeri që të ulet mbi fronin e Davidit dhe kufoma e tij do të hidhet jashtë dhe do të ekspozohet në vapën e ditës dhe në ngricën e natës.
31
Unë do ta dënoj atë, pasardhësit e tij dhe shërbëtorët e tij për paudhësinë e tyre dhe do të sjell mbi ta, mbi banorët e Jeruzalemit dhe mbi njerëzit e Judës tërë të keqen që kam shqiptuar kundër tyre, sepse nuk më dëgjuan".
32
Jeremia pra mori një rrotull tjetër dhe ia dha Barukut, birit të Neriahut, shkruesit, i cili shkroi mbi të, nën diktimin e Jeremias, të gjitha fjalët e librit që Jehojakimi, mbreti i Judës, kishte djegur në zjarr; u shtuan gjithashtu shumë fjalë të tjera të ngjashme me to.
Settings