Skip to content
Ezekieli 32:1-16

Ezekieli 32:1-16

1
Në vitin e dymbëdhjetë, në muajin e dymbëdhjetë, ditën e parë të muajit, ndodhi që fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë:
2
"Bir njeriu, nis një vajtim për Faraonin, mbretin e Egjiptit, dhe i thuaj: Ti i ngjason një luani të vogël midis kombeve; ishe si një dragua në dete dhe hidheshe në lumenjtë e tu, duke i trazuar ujrat me këmbët e tua dhe duke i turbulluar lumenjtë".
3
Kështu thotë Zoti, Zoti: "Do të shtrij mbi ty rrjetën time me një kuvend të shumë popujve që do të ngrenë lart me rrjetën time.
4
Pastaj do të braktis mbi tokë dhe do të të hedh në fushë të hapur, do të bëj që të ulen mbi ty të gjitha shpendët e qiellit dhe do t'i ngop me ty kafshët e gjithë dheut.
5
Do ta hedh mishin tënd mbi male dhe do t'i mbush luginat me togun e skeletit tënd.
6
Do t'i jap gjithashtu tokës të pijë nga rrjedha e gjakut tënd, deri te malet, dhe shtretërit e lumenjve do të mbushen me ty.
7
Kur të të shuaj, do t'i mbuloj qiejt dhe do t'i errësoj yjet, do ta zë diellin me një re dhe hëna nuk do të japë më dritën e saj.
8
Mbi ty do të errësoj të gjithë ndriçuesit e shkëlqyer në qiell dhe do të dërgoj terrin në vendin tënd", thotë Zoti, Zoti.
9
"Do të pikëlloj zemrën e shumë popujve, kur të bëj që të vijë shkatërrimi yt midis kombeve, në vende që ti nuk i njeh.
10
Do të bëj që shumë popuj të çuditen me ty dhe mbretërit e tyre do t'i pushtojë një tmerr i madh për shkakun tënd, kur të vringëllij shpatën time para tyre; secili prej tyre do të dridhet në çdo çast për jetën e tij, ditën e rënies sate".
11
Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: "Shpata e mbretit të Babilonisë do të bjerë mbi ty.
12
Do të bëj që turma jote të rrëzohet nga shpata e burrave të fuqishëm, që janë më të tmerrshmit ndër kombet; ata do të shkatërrojnë krenarinë e Egjiptit dhe gjithë turmat e tij do të asgjësohen.
13
Do të bëj që të ngordhë krejt gjëja e gjallë e tij mbi brigjet e ujrave të mëdha, që nuk do të turbullohen më nga këmba e njeriut, as thundra e kafshëve nuk do t'i turbullojë.
14
Atëherë do t'i lë të qetësohen ujrat e tyre dhe do të bëj që lumenjtë e tyre të rrjedhin si vaj", thotë Zoti, Zoti.
15
"Kur do ta kem bërë të shkretë vendin e Egjiptit dhe vendi të jetë zhveshur nga çdo gjë që kishte, kur do të kem goditur gjithë banorët e tij, atëherë do të pranojnë se unë jam Zoti.
16
Ky është një vajtim që do të ngrenë për të, do ta ngrenë për bijat e kombeve; do ta ngrenë për Egjiptin dhe gjithë turmat e tij", thotë Zoti, Zoti.
Settings

Reading Style

Typeface

Font Size 19px

Options