Ligji i Përtërirë 16:1-8
1
"Respekto muajin e Abibit dhe kremto Pashkën për nder të Zotit, Perëndisë tënd, sepse në muajin e Abibit Zoti, Perëndia yt, të nxori nga Egjipti, gjatë natës.
2
Do t'i bësh fli, pra, Pashkën e Zotit, Perëndisë tënd, me bagëti të trasha dhe të imta, në vendin që Zoti ka zgjedhur për të ruajtur emrin e tij.
3
Dhe nuk do të hash bashkë me të bukë të mbrujtur; shtatë ditë do të hash bukë të ndorme (sepse dole me nxitim nga vendi i Egjiptit), me qëllim që ta kujtosh ditën që dole nga Egjipti tërë ditët e jetës sate.
4
Nuk do të shihet maja pranë teje, brenda tërë kufijve të tua, për shtatë ditë me radhë; dhe nuk do të mbetet asgjë nga mishi që flijove mbrëmjen e ditës së parë për gjithë natën deri në mëngjes.
5
Nuk do të mund ta flijosh Pashkën në çfarëdo qyteti që Zoti, Perëndia yt, të jep,
6
por do ta flijosh Pashkën vetëm në vendin që Zoti, Perëndia yt, ka zgjedhur për të ruajtur emrin e tij; do ta flijosh në mbrëmje, në perëndim të diellit, në orën që dole nga Egjipti.
7
Do ta pjekësh viktimën dhe do ta hash në vendin që Zoti, Perëndia yt, ka zgjedhur; dhe në mëngjes do të largohesh dhe do të kthehesh në çadrat e tua.
8
Gjashtë ditë me radhë do të hash bukë të ndorme; dhe ditën e shtatë do të mbahet një asamble solemne për nder të Zotit, Perëndisë tënd; ti nuk do të bësh gjatë kësaj dite asnjë punë.
Settings