Numrat 3:14-39
14
Pastaj Zoti i foli Moisiut në shkretëtirën e Sinait, duke i thënë:
15
"Bëj regjistrimin e bijve të Levit në bazë të shtëpive të etërve të tyre dhe të familjeve të tyre; do të bësh regjistrimin e të gjithë meshkujve një muajsh e lart".
16
Kështu Moisiu bëri regjistrimin simbas urdhërit të Zotit ashtu siç ishte urdhëruar.
17
Këta janë bijtë e Levit, simbas emrave të tyre: Gershon, Kehat dhe Merari.
18
Këta janë emrat e bijve të Gershonit, simbas familjeve të tyre: Libni dhe Shimei;
19
bijtë e Kehathit, simbas familjeve të tyre, ishin Amrami, Itsehari, Hebroni dhe Uzieli;
20
bijtë e Merarit, simbas familjeve të tyre, ishin Mahli dhe Mushi. Këto janë familjet e Levitëve, në bazë të shtëpive të etërve të tyre.
21
Nga Gershoni rrjedhin familja e Libnitëve dhe familja e Shimetëve; këto janë familjet e Gershonitëve.
22
Ata që u regjistruan, duke numëruar tërë meshkujt e moshës një muajsh e lart, ishin shtatë mijë e pesëqind.
23
Familjet e Gershonitëve duhet të zinin vend prapa tabernakullit, në drejtim të perëndimit.
24
I pari i shtëpisë së etërve të Gershonitëve ishte Eliasafi, bir i Laelit.
25
Detyrat e bijve të Gershonit në çadrën e mbledhjes kishin të bënin me tabernakullin, me çadrën dhe mbulesën e saj, me perden e hyrjes në çadrën e mbledhjes,
26
me perdet e oborrit, me perden në hyrjen e oborrit rreth tabernakullit dhe rreth altarit dhe litarët e tij për tërë shërbimin që u takonte.
27
Nga Kehathi rrjedhin familja e Amramitëve, familja e Itseharit, familja e Hebronitëve dhe familja e Uzielitëve; këto janë familjet e Kehathitëve.
28
Duke numëruar tërë meshkujt që ishin në moshë një muajsh e lart, kishte tetë mijë e gjashtëqind vetë, që kujdeseshin për shenjtëroren.
29
Familjet e bijve të Kehathit duhet të zinin vend në krahun jugor të tabernakullit.
30
I pari i shtëpisë së etërve të Kehathit ishte Elitsafani, bir i Uzielit.
31
Detyrat e tyre kishin të bënin me arkën, me tryezën, me shandanin, me altarët dhe me orenditë e shenjtërores me të cilat ata kryenin shërbimin, me velin dhe gjithë punën që lidhet me këto gjëra.
32
Princi i princave të Levitëve ishte Eleazari, bir i priftit Aaron; ai mbikqyrte ata që kujdeseshin për shenjtëroren.
33
Nga Merari rrjedhin familja e Mahlitëve dhe familja e Mushitëve; këto janë familjet e Merarit.
34
Ata që u regjistruan, duke numëruar tërë meshkujt nga mosha një muajsh e lart, ishin gjashtë mijë e dyqind.
35
Prijësi i shtëpisë së etërve të familjeve të Merarit ishte Tsurieli, bir i Abihailit. Ata duhet të zinin vend në krahun verior të tabernakullit.
36
Detyrat e caktuara për bijtë e Merarit kishin të bënin me dërrasat e tabernakullit, me traversat e tij, me shtyllat dhe bazat e tyre, me tërë veglat e tij dhe tërë punën që ka të bëjë me këto gjëra,
37
me shtyllat e oborrit rreth e qark, me bazat e tyre, me kunjat dhe me litarët e tyre.
38
Përpara tabernakullit, në krahun e tij lindor, përballë çadrës së mbledhjes, nga ana lindjes së diellit, duhet të zinin vend Moisiu, Aaroni dhe bijtë e tij; ata kujdeseshin për shenjtëroren duke plotësuar detyrat e bijve të Izraelit; por çdo i huaj tjetër që do të afrohej, do të dënohej me vdekje.
39
Tërë Levitët e regjistruar nga Moisiu dhe Aaroni në bazë të familjeve të tyre simbas urdhrit të Zotit, të gjithë meshkujt që nga mosha një muajsh e lart ishin njëzet mijë.
Settings