Levitiku 6:8-23
8
Zoti i foli akoma Moisiut, duke thënë:
9
"Jepu këtë urdhër Aaronit dhe bijve të tij, dhe u thuaj atyre: Ky është ligji i olokaustit. Olokausti do të mbetet mbi mangallin sipër altarit tërë natën, deri në mëngjes; dhe zjarri i altarit do të mbahet i ndezur.
10
Prifti do të veshë tunikën e tij prej liri dhe do të veshë mbi trup pantallonat; dhe do të mbledhë hirin e olokaustit, që zjarri ka konsumuar mbi altar, dhe do ta vendosë pranë altarit.
11
Pastaj do të heqë rrobat e tij dhe do të veshë të tjera, dhe do ta çojë hirin jashtë kampit në një vend të pastër.
12
Zjarri mbi altar do të mbahet i ndezur dhe nuk do të lihet të shuhet; prifti do të djegë dru mbi të çdo mëngjes, do të vendosë sipër olokaustin dhe do të tymosë sipër dhjamin e flijimeve të falënderimit.
13
Zjarri duhet të digjet vazhdimisht mbi altarin dhe nuk duhet të shuhet.
14
Ky është ligji i blatimit të ushqimit. Bijtë e Aaronit do ta paraqesin përpara Zotit përballë altarit.
15
Njëri prej tyre do të marrë nga ai një grusht maje mielli me vajin e tij dhe me gjithë temjanin që ndodhet mbi blatimin e ushqimit dhe do ta tymosë mbi altar me erë të këndshme, si një kujtim për Zotin.
16
Aaroni dhe bijtë e tij do të hanë atë që ka për të mbetur; do të hahet pa maja në vend të shenjtë; ata do ta hanë në oborrin e çadrës së mbledhjes.
17
Të mos piqet me maja; është pjesa që u dhashë atyre nga flijimet e mia të bëra me zjarr. Éshtë gjë shumë e shenjtë, ashtu si flijimi për mëkatin dhe si flijimi për shkeljen.
18
Çdo mashkull ndër bijtë e Aaronit do të mund të hajë. Éshtë një ligj i përjetshëm për gjithë brezat tuaj, që lidhet me flijimet e bëra me zjarr për Zotin. Kushdo që prek këto gjëra duhet të jetë i shenjtë.
19
Zoti i foli akoma Moisiut, duke thënë:
20
"Kjo është oferta që Aaroni dhe bijtë e tij do t'i bëjnë Zotit ditën në të cilën janë vajuar: një e dhjeta e efës maje mielli, si blatim i zakonshëm i ushqimit, gjysmën në mëngjes dhe gjysmën në mbrëmje.
21
Ajo do të përgatitet me vaj mbi një skarë; do ta çosh të përzier mirë dhe do të ofrosh copat e pjekura të blatimit të ushqimit, si erë e këndshme për Zotin.
22
Prifti, njërit prej bijve të tij që është vajuar për t'i zënë vendin, do t'i bëjë këtë ofertë; sipas ligjit të përjetshëm, do të tymoset e tëra.
23
Çdo blatim i ushqimit të priftit do të tymoset i tëri; ai nuk do të hahet".
Settings