2 Kronikave 33:11-20
11
Atëherë Zoti solli kundër tyre komandantët e ushtrisë së mbretit të Asirisë, që e zunë Manasin me çengela në hundë, e lidhën me zinxhira prej bronzi dhe e çuan në Babiloni.
12
Kur u gjend në hall, iu lut shumë Zotit, Perëndisë të tij, dhe u përul thellë përpara Perëndisë të etërve të tij.
13
Pastaj iu fal dhe iu lut shumë dhe Perëndia e dëgjoi lutjen e tij dhe e çoi përsëri në Jeruzalem, në mbretërinë e tij. Atëherë Manasi njohu që Zoti është Perëndia.
14
Pas kësaj, Manasi ndërtoi një mur jashtë qytetit të Davidit, në perëndim të Gihonit, në luginë, deri te porta e peshqve; muri i vinte përreth Ofelit, dhe e bëri shumë të lartë. Pastaj vendosi komandantë ushtarakë në të gjitha qytetet e fortifikuara të Judës.
15
Përveç kësaj hoqi nga shtëpia e Zotit perënditë e huaja dhe idhullin, së bashku me të gjithë altarët që kishte ndërtuar mbi malin e shtëpisë të Zotit dhe në Jeruzalem, dhe i hodhi jashtë qytetit.
16
Pastaj restauroi altarin e Zotit dhe mbi të ofroi flijime falenderimi dhe lëvdimi, si dhe urdhëroi Judën t'i shërbente Zotit, Perëndisë të Izraelit.
17
Megjithatë populli vazhdonte të ofronte flijime në vendet e larta, por vetëm Zotit, Perëndisë të tij.
18
Pjesa tjetër e bëmave të Manasit, lutja që i drejtoi Perëndisë të tij dhe fjalët e shikuesve që i folën në emër të Zotit, janë të shkruara në librin e mbretërve të Izraelit.
19
Përkundrazi lutja e tij dhe mënyra si Perëndia e dëgjoi, tërë mëkatet e tij dhe tërë pabesitë e tij, vendet ku ndërtoi vendet e larta dhe ngriti Asherimët dhe shëmbëlltyrat e gdhendura, para se të përulej, janë të shkruara në librin e Hozait.
20
Pastaj Manasi pushoi bashkë me etërit e tij dhe e varrosën në shtëpinë e tij. Në vend të tij mbretëroi i biri, Amoni.
Settings